Konferenca Ndërkombëtare “Përballja me të kaluemen: Lëvizjet sociale në Kosovë gjatë socializmit dhe viteve 1990” 6-8 Tetor, 2017

Sep 20, 2017

admin

Lajme

0

Konferenca Ndërkombëtare “Përballja me të kaluemen: Lëvizjet sociale në Kosovë gjatë socializmit dhe viteve 1990”

6-8 tetor 2017, Prishtinë

Me rastin e 20-vjetorit të demonstratës studentore të vitit 1997 në Prishtinë, Alter Habitus, Qendra për Studime të Evropës Juglindore (Universiteti i Grazit) dhe Universiteti i Prishtinës organizojnë një konferencë mbi lëvizjet sociale në Kosovë gjatë dhe pas socializmit. Ftohen studiuesit e shkencave shoqërore dhe humanitare, aktivistët e shoqërisë civile dhe artistët të diskutojnë dhe të marrin pjesë në konferencë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, lëvizjet shoqërore në Kosovë brenda Jugosllavisë socialiste u organizuan kryesisht përmes grupeve nëntokësore të njohura si Ilegalja, të cilat artikuluan kërkesat e lëvizjes përmes shpërndarjes së fletëpalosjeve, si dhe organizimit të takimeve dhe demonstratave. Edhe studentët kishin rol të rëndësishëm në organizimin dhe përkrahjen e demonstratave. Pas heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989, ndërsa ende ekzistonin grupet ilegale, shprehja politike publike u organizua dhe kontrollohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia politike dominuese e asaj kohe.

Mund të gjurmohen katër valë të demonstratave në Kosovë, të cilat kanë pasur domethënie të veçanta në shpërfaqjen e pabarazive politike, por edhe në pasqyrimin e ideologjive të ndryshueshme të periudhave në fjalë – demonstratat e viteve 1968, 1981, 1988 dhe 1997. Ndonëse protestat në vitin 1968 në Jugosllavi ishin më shumë të natyrës sociale, protestat e vitit 1968 në Kosovë ishin edhe sociale edhe kombëtare. Në literaturën e studimeve shqiptare, këtyre protestave u jepet kryesisht vetëm përmasa kombëtare, ndërkohë që shpërfillen elementet sociale dhe klasore që ato kishin. Kur diskutohet në kornizën jugosllave të lëvizjeve sociale, dominon një prirje tjetër: theksohet përmasa sociale e protestave, ndërsa demonstratat e Kosovës kryesisht shpërfillen. Secila prej katër demonstratave kishte disa shtresa përmes të cilave përpiqej të arrinte disa qëllime dhe që kishin ndikim të ndryshëm në shoqëri dhe në politikë. Demonstrata masive studentore e 1 tetorit 1997, përveç kërkesës për të drejtën e arsimit, ishte e rëndësishme edhe sepse e theu statusin e gjatë të rezistencës paqësore paqësore të përkrahur dhe të nxitur në atë kohë nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe LDK-ja.

Një diskutim rreth lëvizjeve shoqërore në Kosovë gjatë socializmit dhe viteve të 1990-ta do të hedhë dritë në diskutimin e përgjithshëm mbi lëvizjet sociale, si dhe pabarazinë sociale e politike në Jugosllavi. Për më shumë, diskutimi do të hapë edhe mundësi për t’i rishikuar metodologjitë kërkimore të zhvilluara deri më tani në hulumtimin e lëvizjeve sociale dhe do t’i shqyrtojë mundësitë e reja që do t’i jepnin fund politizimit të historisë. Pyetjet për t’u hulumtuar janë:

  • Çfarë roli kanë luajtur lëvizjet sociale në emancipimin e vlerave demokratike të njerëzve në raport me shtetin?
  • Si mund të krahasohen këto demonstrata, cilat janë vazhdimësitë, çka ka ndryshuar me kohë?
  • Si lidhen ato me zhvillimet e përgjithshme jugosllave?
  • Si u perceptuan ato nga aktivistë të tjerë socialë dhe disidentë, gjetiu nëpër Jugosllavi?
  • Cili ishte ndikimi i lëvizjeve sociale në ndërtimin e identitetit?
  • A ka moment emancipimi social në aktivitetet e motivuara nacionaliste?
  • Si u paraqitën këto demonstrata në shtypin e këtyre periudhave?
  • Si e perceptojnë socializmin bartësit kryesorë të lëvizjeve shoqërore në Kosovë?
  • Cilat ishin kufizimet ideologjike të reflektuara përmes demonstratave dhe sa të ndryshme ishin nga ato në territoret e tjera të Jugosllavisë?
  • Cila ishte përmasa gjinore e lëvizjeve shoqërore në Kosovë?
  • Cili ishte kontributi i grave në lëvizjet shoqërore?
  • Cili ishte ndikimi i diasporës në lëvizjet shoqërore?
  • Cila ishte estetika e demonstratave?
  • Si i hulumtojmë lëvizjet shoqërore në Kosovë?
  • Si kujtohen dhe formësohen demonstratat brenda kujtesës kolektive?

Abstrakti me titullin e punimit dhe emrin e autorit, maksimum 300 fjalë, së bashku me një biografi të shkurtër të autorit, duhet të dorëzohen në [email i mbrojtur], deri më 15 maj 2017. Njoftimi për pranimin e abstrakteve do të bëhet më 30 Maj 2017.

Komisioni shqyrtues:

  • Florian Bieber – Qendra për Studime Evropiane Juglindore, Universiteti i Grazit
  • Robert Pichler – Universiteti Humboldt
  • Linda Gusia – Universiteti i Prishtinës
  • Elmaze Gashi – Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë
  • Elife Krasniqi – Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë

 

Post by admin

Leave a Reply

Your email address will not be published.